Moderatorja Arbana Osmani ka bërë një rrëfim emocional në podcast-in “Mirëmbrëma yje”, ku flet për ndjenjat e përziera kur zbuloi se ishte shtatzënë me vajzën e saj dhe sfidat e mëmësisë.
Moderatorja e njohur Arbana Osmani ka ndarë një rrëfim të ndjerë dhe tejet personal në podcast-in e saj “Mirëmbrëma yje”, duke folur hapur për ndjenjat që përjetoi kur zbuloi se ishte shtatzënë me vajzën e saj, Zoi.
Ajo tregoi se lajmi për shtatzëninë erdhi në një moment kur ndodhej në kulmin e angazhimeve profesionale dhe pas një periudhe të lodhshme emocionale.
Moderatorja rrëfeu se në atë kohë kishte planifikuar të qetësohej, të përfundonte gjidhënien me djalin e saj Diellin dhe të realizonte një udhëtim të largët në Amerikë, për të kaluar kohë me partnerin e saj.
“Pastaj zbuloj që isha shtatzënë dhe ishte një shock. Nuk dua ta them këtë se ajo do rritet dhe do ta shohë programin, por në atë moment u mërzita dhe e kam dënuar veten për këtë ndjenjë”, tha Osmani me sinqeritet.
Ajo theksoi se nuk ndihej gati për një fëmijë tjetër aq shpejt dhe kishte shumë pikëpyetje lidhur me balancimin e punës, pasioneve dhe familjes.
“Pyetja që më mundonte ishte: si do t’ia bëj me punën, me pasionet, me dy fëmijët e tjerë dhe me të gjitha sipërmarrjet që kisha marrë ndërkohë?”, tregoi ajo.
Megjithatë, Arbana theksoi se me kalimin e kohës gjithçka u rregullua në mënyrë natyrale dhe se frikërat u shndërruan në forcë.
“Pastaj për çudi, u bënë të gjitha. Bëhen të gjitha punët. Ndonjëherë shumë më mirë sesa e kishim menduar”, përfundoi ajo, duke dhënë një mesazh shprese për të gjitha gratë që përjetojnë ndjenja të ngjashme gjatë mëmësisë.





