
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit në Hagë, duke theksuar se Pavarësia e Kosovës është vullnet i popullit dhe rezultat i një sakrifice shekullore.
Osmani ka deklaruar se liria e Kosovës u arrit me një çmim të lartë, ku mijëra dëshmorë dhe civilë të pafajshëm dhanë jetën, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi me heroizëm dhe me një luftë të drejtë e të pastër.
Presidentja ka theksuar se çdo përpjekje për ta barazuar luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit serb është e padrejtë dhe e rrezikshme, pasi minon besimin në drejtësi dhe dëmton rëndë paqen afatgjatë në rajon.
“Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk mund të ndryshohet me përpjekje për rishkrim të historisë apo për njollosjen e betejës sonë për liri”, ka theksuar Osmani.
Reagimi i presidentes vjen në kohën kur në Hagë po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke riafirmuar qëndrimin institucional të Kosovës se lufta çlirimtare nuk mund dhe nuk duhet të vihet në dyshim.





