
Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër pas kërkesës së Prokurorisë në Hagë për dënimin me 45 vjet burgim të secilit prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Haxhiu e ka cilësuar këtë kërkesë si një akt të rëndë padrejtësie dhe fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës, duke theksuar se ky proces nuk ka për qëllim vendosjen e drejtësisë, por ndëshkimin politik dhe selektiv të një lufte të drejtë çlirimtare.
“Kriminelët serbë u ricikluan në pushtet, u amnistuan dhe u privilegjuan, ndërsa sot po tentohet kriminalizimi i rezistencës së popullit të Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo theksoi se në vend që të gjykohet agresori, po tentohet që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të trajtohet si shkaktare e luftës, e jo si përgjigje ndaj terrorit shtetëror serb, gjë që sipas saj përbën një shtrembërim të rëndë të së vërtetës historike.
“Të kërkosh dënime kaq të rënda për drejtues e ushtarë të UÇK-së është përpjekje për ta zhveshur Kosovën nga e drejta morale e çlirimit dhe për ta barazuar viktimën me xhelatin”, ka përfunduar Haxhiu.





