
Sali Berisha reagon ndaj aktakuzës në Hagë , duke e cilësuar procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së si propagandë serbe pa prova.
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas paraqitjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Hagë ndaj ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një postimi publik, Berisha ka deklaruar se prokuroria ka paraqitur, sipas tij, akuzat më të rënda deri më tani, duke kërkuar dënime që në total arrijnë rreth dy shekuj burg për drejtuesit kryesorë të luftës çlirimtare të Kosovës.
Berisha ka vlerësuar se aktakuza e fundit përbën një ripërsëritje të narrativës së propagandës ultranacionaliste serbe, duke përmendur edhe akuzat e vjetra për trafikim organesh, të cilat ai i cilëson si trillime të rrezikshme dhe të pabazuara.
Në fund, Berisha i ka bërë thirrje Gjykatës Speciale që të mos ndikohet nga, siç u shpreh ai, akuza propagandistike që tejkalojnë çdo kufi dhe të vendosë në përputhje me ligjin, duke konfirmuar pafajësinë e ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të Kosovës.





