Pas përfundimit të “Tubimit të Bashkimit”, kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka publikuar fotografi së bashku me ish-presidenten Vjosa Osmani, duke i bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen rrugëtimit të tyre politik.
Në postimin e publikuar në rrjetet sociale, Abdixhiku tha se ky është fillimi i një rrugëtimi të ri për Kosovën dhe për qytetarët që besojnë në ndryshim.
“Qytetarëve të Kosovës, u shtrijmë ftesën për rrugëtimin që po nisë sot! Të ecim bashkë”, ka shkruar ai.
Tutje, Abdixhiku theksoi se Republika ndërtohet kur qytetarët marrin përgjegjësi për të ardhmen e vendit të tyre dhe nuk presin ndryshimin nga të tjerët.
“Sepse Republika bëhet kur zgjohet vetëdija e një populli që vendos të mos presë më askënd tjetër për ta bërë vendin e vet më të mirë. Ne jemi gati. Ejani dhe ju!”, thuhet në postim.
Publikimi vjen në kohën kur po intensifikohet bashkëpunimi politik mes Abdixhikut dhe Osmanit për zgjedhjet e 7 qershorit.




