Aksion i madh i Prokurorisë Speciale, arrestohen tre persona për terrorizëm, drogë dhe armë

Posted by

Një operacion i gjerë i zhvilluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar për përfshirje në një sërë veprash të rënda penale.

Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuarit me inicialet A.A., S.D. dhe B.K. dyshohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, financim të terrorizmit, shpëlarje parash, mashtrim dhe detyrim.

Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet përfshijnë edhe dyshime për aktivitete të paligjshme që lidhen me armët dhe narkotikët.

Të dyshuarit po hetohen gjithashtu për:

  • Import, eksport dhe transportim të paautorizuar të armëve;
  • Furnizim, ndërmjetësim dhe shitje të materialeve plasëse;
  • Blerje, posedim dhe shpërndarje të narkotikëve;
  • Tregtim të substancave psikotrope dhe analogeve të tyre.

Operacioni është realizuar me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Federal Bureau of Investigation (FBI) dhe Royal Canadian Mounted Police (RCMP).

Sipas komunikatës, përfaqësues të FBI-së dhe RCMP-së kanë qenë të angazhuar drejtpërdrejt në terren gjatë zhvillimit të operacionit, së bashku me prokurorin e rastit.

Aksioni është mbështetur gjithashtu nga OPDAT, program i United States Department of Justice që asiston në forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar.

Me vendim të prokurorit special, tre të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi identitetin e plotë të të dyshuarve apo mbi rrjetin e mundshëm kriminal që dyshohet se qëndron pas aktiviteteve të hetuara.