Aksion i madh kundër krimit të organizuar, arrestohen tre persona për terrorizëm, armë dhe narkotikë

Posted by

Një operacion i gjerë i zhvilluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari të rënda kriminale.

Sipas njoftimit të përbashkët të institucioneve, të arrestuarit me inicialet A.A., S.D. dhe B.K. dyshohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, financim të terrorizmit, shpëlarje parash, mashtrim dhe detyrim.

Autoritetet bëjnë të ditur se hetimet përfshijnë edhe dyshime për veprimtari të paligjshme që lidhen me armët dhe narkotikët.

Të dyshuarit po hetohen gjithashtu për:

  • Import, eksport dhe transportim të paautorizuar të armëve;
  • Furnizim dhe shitje të materialeve plasëse;
  • Prodhim, ndërmjetësim dhe këmbim të paautorizuar të armëve;
  • Blerje, posedim dhe shpërndarje të narkotikëve;
  • Tregtim të substancave psikotrope dhe analogeve të tyre.

Operacioni është realizuar me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Federal Bureau of Investigation (FBI) dhe Royal Canadian Mounted Police (RCMP).

Sipas komunikatës zyrtare, përfaqësues të FBI-së dhe RCMP-së kanë qenë të angazhuar në terren gjatë realizimit të aksionit, së bashku me prokurorin e rastit.

Operacioni është mbështetur gjithashtu nga OPDAT, program i United States Department of Justice që ndihmon në luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Me urdhër të prokurorit special, tre të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

Autoritetet nuk kanë bërë publike detaje shtesë për identitetin e të dyshuarve apo për rrjetin e dyshuar kriminal, duke theksuar se veprimet hetimore janë ende në zhvillim.