Një 25-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane, nën dyshimet për përfshirje në trafik droge, në një operacion të zhvilluar në komunën Ardea.
Sipas autoriteteve, i riu u kap në flagrancë në një rrugë qendrore, teksa po i shiste një dozë kokaine një personi tjetër, menjëherë pasi kishte parkuar automjetin. Blerësi rezultoi të ishte një 58-vjeçar nga Roma, i cili kishte mbërritur në zonë posaçërisht për të kryer blerjen.
Karabinierët ndërhynë menjëherë, duke ndaluar si shitësin ashtu edhe blerësin, ndërsa lënda narkotike u sekuestrua. Blerësi u gjobit për përdorim personal të drogës.
Gjatë kontrollit të mëtejshëm ndaj të dyshuarit dhe automjetit të tij, policia gjeti doza të tjera kokaine dhe kanabisi, si dhe një peshore precize që dyshohet se përdorej për ndarjen e dozave.
I riu u shoqërua në stacionin e Karabinierëve në Anzio, ku u mbajt në pritje të seancës gjyqësore. Pas konfirmimit të arrestimit nga autoritetet gjyqësore, është urdhëruar edhe dëbimi i tij nga Italia.





