Bedri Hamza, kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se një nga prioritetet e tij do të jetë lidhja e Kosovës me rrjetet rajonale të gazit natyror dhe ndërtimi i një partneriteti strategjik energjetik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hamza ka kritikuar qeverinë aktuale, duke thënë se ka refuzuar mundësinë për ta lidhur Kosovën me gazin natyror amerikan (LNG), gjë që sipas tij ka rritur varësinë nga importet e shtrenjta të energjisë elektrike.
Sipas tij, vetëm gjatë pesë viteve të fundit, Kosova ka shpenzuar rreth 1 miliard euro për importin e energjisë elektrike.
“Kosova sot po e paguan energjinë më shtrenjtë se kurrë më parë. Familjet po përballen me fatura gjithnjë e më të larta, ndërsa bizneset po e humbin konkurrueshmërinë”, ka deklaruar Hamza.
Ai theksoi se Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk është i lidhur me rrjetet e gazit natyror, ndërsa përmendi projektin e gazsjellësit Aleksandrupoli–Shkup, i cili sipas tij do ta afronte gazin amerikan vetëm rreth 15 kilometra larg kufirit të Kosovës.
Hamza premtoi se, nëse merr drejtimin e qeverisë, do të nisë menjëherë projektin për lidhjen e Kosovës me korridoret rajonale të gazit natyror.
“Do ta nisim menjëherë projektin për lidhjen e Kosovës me korridoret rajonale të gazit natyror dhe do të ndërtojmë partneritet strategjik energjetik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
Sipas kandidatit të PDK-së, ky projekt do të ndikonte në rritjen e sigurisë energjetike, uljen e ndotjes, tërheqjen e investimeve dhe sigurimin e energjisë më të përballueshme për qytetarët dhe bizneset.




