Bedri Hamza nga Dragashi: Qytetarët meritojnë qeveri që u shërben atyre, jo interesave partiake

Posted by

Bedri Hamza, kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, ka zhvilluar një tubim elektoral me qytetarët e Dragash, ku ka prezantuar vizionin e tij për qeverisjen dhe zhvillimin e vendit.

Gjatë takimit, Hamza e cilësoi Dragashin si një nga perlat natyrore të Kosovës dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme për këtë komunë në rast se merr drejtimin e qeverisë.

“Dragashi, perla natyrore e Kosovës, do ta ketë mbështetjen time si Kryeministër”, ka deklaruar ai.

Hamza theksoi se qytetarët meritojnë institucione që punojnë në interes të tyre dhe jo për interesa të ngushta politike.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për një qeveri që vendos interesin e qytetarëve mbi atë partiak, ligjin mbi pushtetin dhe rezultatet konkrete mbi propagandën politike.

“Qytetarët meritojnë një qeveri që u shërben atyre, jo një qeveri që e përdor shtetin për interesa të veta. Ata meritojnë një qeveri që vendos interesin e qytetarëve mbi atë partiak, ligjin mbi pushtetin dhe rezultatet mbi propagandën”, është shprehur Hamza.

Në fund të adresimit të tij, ai ka bërë thirrje për ndryshim në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, duke përsëritur sloganin e fushatës së PDK-së:

“Stop krizës. Ndrysho Kosovën.”