DASH: SHBA e gatshme të ndihmojë Kosovën me LNG amerikan për siguri energjetike

Posted by

Departamenti Amerikan i Shtetit ka riafirmuar rëndësinë e bashkëpunimit energjetik si një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të saj evropianë, përfshirë edhe Kosovën.

Në një përgjigje për Dukagjinin, DASH ka theksuar se eksportet amerikane të energjisë luajnë rol kyç në forcimin e sigurisë energjetike në Evropë dhe se SHBA-ja mbetet e gatshme të mbështesë Kosovën në zhvillimin e sektorit energjetik.

“Eksporti i energjisë amerikane është një shtyllë qendrore në bashkëpunimin tonë ekonomik me partnerët evropianë. Eksportet e energjisë amerikane forcojnë sigurinë energjetike në Evropë”, thuhet në deklaratë.

Mbështetje për LNG-në amerikane

Sipas DASH-it, institucionet amerikane janë të gatshme të punojnë së bashku me industrinë energjetike amerikane dhe institucionet e Kosovës për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme energjetike për vendin.

“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me industrinë energjetike të SHBA-së dhe Qeverinë e Kosovës për të siguruar të ardhmen energjetike të Kosovës përmes diversifikimit të furnizimit me energji, duke përfshirë LNG-në amerikane”, thuhet më tej në përgjigje.

Debati për orientimin energjetik

Deklarata vjen në një kohë kur debati për strategjinë energjetike të Kosovës është intensifikuar. Përfaqësues amerikanë dhe ekspertë të energjisë kanë kërkuar vazhdimisht që Kosova të shqyrtojë mundësinë e përfshirjes në projektet rajonale të gazit natyror të lëngshëm.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës ka shprehur rezerva ndaj ndërtimit të infrastrukturës së gazit, duke favorizuar alternativa të tjera energjetike, përfshirë bashkëpunimin me Centrali i Vlorës dhe importin e energjisë elektrike.

Ekspertët e energjisë kanë argumentuar se përfshirja në projektet e LNG-së mund të ndihmojë Kosovën në diversifikimin e burimeve energjetike, uljen e varësisë nga termocentralet me qymyr dhe rritjen e sigurisë energjetike afatgjatë.

Megjithatë, vendimi përfundimtar mbi orientimin energjetik të vendit mbetet ende i hapur dhe pritet të jetë pjesë e diskutimeve strategjike në periudhën e ardhshme.