Dua Lipa ka ngritur një padi prej 15 milionë dollarësh ndaj Samsung, duke akuzuar kompaninë për përdorim të paautorizuar të imazhit të saj në fushata reklamuese dhe paketimet e televizorëve.
Padia është dorëzuar në Gjykatën Federale të California dhe pretendon se fotografia e artistes është përdorur pa lejen e saj që nga viti i kaluar.
Sipas dokumenteve ligjore, këngëtarja kishte kërkuar më herët që imazhi i saj të hiqej nga produktet dhe materialet promovuese, por kompania dyshohet se nuk kishte ndërmarrë veprime.
Avokatët e Dua Lipës thonë se përdorimi i fotografisë së saj krijoi përshtypjen se artistja reklamonte dhe mbështeste produktet e Samsungut.
Në padi thuhet se imazhi i saj është përdorur pa dijeninë e saj, pa pagesë dhe pa ndonjë marrëveshje zyrtare bashkëpunimi.
Përfaqësuesit ligjorë të artistes kanë theksuar se Dua Lipa është shumë selektive kur bëhet fjalë për bashkëpunimet me marka të mëdha dhe nuk do të kishte aprovuar përdorimin e figurës së saj pa kontratë të qartë.
Deri më tani, Samsung nuk ka dhënë një reagim publik lidhur me akuzat dhe padinë e ngritur ndaj kompanisë.





