Prej kohësh, Blerina kishte zgjedhur të largohej nga zhurma e rrjeteve sociale, duke kërkuar qetësi dhe privatësi larg syrit të publikut. I vetmi kanal ku ajo ka mbajtur kontakt me ndjekësit ka qenë Snapchat, ku së fundmi ka ndarë momente të ngrohta nga jeta e saj personale.
Ajo është shfaqur pranë partnerit të saj, i cili duket se e ka ndihmuar të rigjejë buzëqeshjen, ndërsa lajmi për fejesën erdhi në një mënyrë krejt të papritur. Ishin pikërisht fansat e Gjesti që zbuluan gjithçka, duke i dërguar një buqetë me lule dhe një letër urimi për fejesën, të cilat Blerina i publikoi vetë.
Edhe pse tashmë nuk e fsheh unazën, ajo ka zgjedhur të mbajë identitetin e partnerit larg vëmendjes publike, duke ruajtur privatësinë për këtë kapitull të ri të jetës së saj.
Ndërkohë, në anën tjetër, edhe vetë Gjesti duket se po përgatitet për një rikthim të fuqishëm në muzikë. Një imazh enigmatik me një dele rozë i publikuar nga labeli Three60 Music, ku ai është etiketuar bashkë me DJ Gimbo, ka ndezur menjëherë kureshtjen e fansave.
Sipas emisionit Prive By Liberta Spahiu, artisti është duke punuar intensivisht për një EP të ri, i cili pritet të përmbajë pesë këngë dhe të shënojë një nga rikthimet më të forta të tij në skenë.
Duket se për familjen e tyre, kjo periudhë po sjell ndryshime të mëdha, mes dashurisë së re dhe projekteve që pritet të pushtojnë tregun muzikor.




