Këngëtarja e njohur Fifi ka ndarë një rrëfim shumë personal për rrugëtimin e saj drejt mëmësisë, gjatë një interviste në podcastin Mam të moderatores Orinda Huta.
Gjatë bisedës, ajo foli hapur për emocionet që përjetoi kur mësoi gjininë e foshnjës, duke zbuluar se kishte dëshiruar shumë të bëhej nënë e një vajze.
“Kam qenë duke fluturuar prej Boston në New York dhe më erdhi njoftimi… i thashë gjinekologes: ‘Të lutem mos më trego që është çun’, dhe ajo më tha: ‘Zemra është çun’. Kam qarë 40 minuta në aeroport,” rrëfeu ajo.
Fifi shpjegoi se kjo dëshirë lidhej edhe me partnerin e saj, Adis Patushi, i cili tashmë ka një djalë nga një lidhje e mëparshme. Sipas saj, ajo donte që ai të përjetonte ndjesinë e të qenit baba i një vajze për herë të parë me të.
Megjithatë, këngëtarja theksoi se ky moment zhgënjimi ishte i përkohshëm dhe plotësisht njerëzor. Me ardhjen në jetë të djalit, çdo ndjenjë tjetër u zëvendësua nga dashuria e pakushtëzuar.
Ajo pranoi se përvoja e mëmësisë i ndryshoi plotësisht perspektivën, duke e bërë të kuptojë se realiteti shpesh është më i bukur se pritshmëritë.





