FC Barcelona po përgatitet për një merkato të madhe verore, me synimin për ta forcuar skuadrën dhe për t’u afruar më shumë me finalen e UEFA Champions League.
Klubi katalanas synon afrimin e një qendërmbrojtësi dhe një sulmuesi, por për ta realizuar këtë pritet të ketë edhe largime për të liruar hapësirë në kufirin e pagave.
Sipas raportimeve të “Mundo Deportivo”, trajneri Hansi Flick pritet të zhvillojë takime individuale me disa lojtarë për të diskutuar të ardhmen e tyre në klub.
Në mesin e emrave të përfshirë janë Alejandro Balde dhe Jules Koundé, të cilët humbën vendin e titullarit në “El Clásico” të fundit ndaj Real Madrid.
Në atë ndeshje, Flick preferoi Eric García dhe João Cancelo.
Një tjetër lojtar që do të diskutojë të ardhmen me Flick është talenti suedez Roony Bardghji.
Ndërkohë, rasti i kapitenit Ronald Araújo mbetet më specifik, pasi ai ka pasur pak minuta pas rikthimit nga dëmtimi në dhjetor, megjithatë lojtari dëshiron të vazhdojë te Barcelona.
Raportimet më herët kishin përmendur edhe mundësinë e shitjes së Raphinha ose Fermín López në rast të ofertave të mëdha, por të dy kanë shprehur dëshirën për të qëndruar në klub.
Po ashtu, edhe Marc Casadó ka deklaruar se dëshiron të vazhdojë për shumë vite te Barcelona.
Flick ka pranuar publikisht se nuk ishte e lehtë për Koundé të mbetej në stol në ndeshjen ndaj Real Madridit, ndërsa për Balde ka thënë se stafi teknik po punon për përmirësimin e tij për sezonin e ardhshëm.




