Georgina mahnit në Met Gala – rruzarja 7 milionëshe mori gjithë vëmendjen

Posted by

Georgina Rodriguez ka tërhequr vëmendjen në Met Gala me një paraqitje spektakolare, ku detaji më i komentuar ishte një rruzare luksoze që, sipas raportimeve, është ideuar nga vet ajo dhe vlera e saj arrin deri në shtatë milionë euro.

Në eventin e mbajtur në Metropolitan Museum of Art në New York, Georgina u shfaq me një krijim të dizajnerit belg Ludovic de Saint Sernin, ndërsa për stilimin e saj ishte përgjegjëse stilistja Alba Melendo.

Pamja e saj u frymëzua nga devocioni ndaj Zonjës së Fatimës, në përputhje me temën e sivjetme “Moda është art”. Fustani i punuar me dorë në Paris kishte një siluetë të strukturuar me detaje të pikturuara dhe dantellë në nuanca të kaltërta, i kompletuar me një vello elegante.

Brenda krijimit ishin fshehur edhe dy mesazhe të qëndisura në spanjisht: “Aty ku është ajo, shpirti gjen strehë” dhe “Dhe na çliro nga e keqja, amen”.

Megjithatë, gjithë vëmendjen e mori rruzarja luksoze, e realizuar me ar të bardhë 18 karatësh, pesë perla natyrale dhe dhjetëra diamante. Medalioni përmbante figurën e Zonjës së Fatimës dhe emrat e anëtarëve të familjes së saj.

Pamja u kompletua me këpucë platformë nga Le Silla dhe bizhuteri nga Chopard, përfshirë diamantin “The Queen of Kalahari”.

Sipas ekipit të saj kreativ, kjo paraqitje bashkonte besimin personal me luksin dhe mjeshtërinë e modës së lartë, duke e kthyer Georginën në një nga emrat më të komentuar të mbrëmjes.