Hykmete Bajrami kërkon anulimin e testit të maturës: “Ministër, dil e merr përgjegjësi”

Posted by

Deputetja e zgjedhur e Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër pas raportimeve për shpërndarjen e pyetjeve të testit të maturës në grupe dhe rrjete të ndryshme sociale gjatë zhvillimit të provimit.

Përmes një reagimi publik, Bajrami ka kërkuar anulimin e testit, duke vlerësuar se procesi ka humbur besueshmërinë dhe nuk garanton vlerësim të drejtë të nxënësve.


Sipas saj, publikimi i testit në momentin kur nis provimi po përsëritet tash e gjashtë vjet me radhë, duke favorizuar kopjimin në vend të dijes.

“Që gjashtë vjet radhazi po përsëritet i njëjti dështim – publikimi i testit sapo fillon provimi. Pra, testi i maturës nuk po e shpërblen dijen, por po e favorizon kopjimin”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka theksuar se një situatë e tillë përbën padrejtësi ndaj nxënësve që kanë punuar me vite për të arritur rezultate të mira.

“Sot, fatkeqësisht, më të suksesshëm nuk dalin ata që kanë mësu shumë, por ata që kanë arritë me kopju më shumë. Kjo është padrejtësi ndaj mijëra nxënësve të vyeshëm që kanë punu me vite”, është shprehur ajo.

Kërkon sistem të ri vlerësimi

Bajrami vlerëson se problemi nuk lidhet vetëm me organizimin e testit, por me vetë drejtësinë në sistemin arsimor dhe procesin e pranimit në universitete.

Sipas saj, kur kopjimi bëhet mënyra më e lehtë për të arritur sukses, nxënësit e ndershëm dëmtohen drejtpërdrejt.

Ajo ka propozuar që testi i maturës të zëvendësohet me një sistem vlerësimi që mbështetet në rezultatet e arritura gjatë viteve të shkollimit fillor dhe të mesëm.

“Arsimi nuk mund të ndërtohet mbi kopjim”, ka theksuar deputetja e LDK-së.

Në fund të reagimit të saj, Bajrami i ka bërë thirrje ministrit në detyrë të Arsimit, Hajrulla Çeku, që të marrë përgjegjësi për situatën.

“Ministër, dil merr përgjegjësi”, përfundon reagimi i saj.