Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i është kundërpërgjigjur ashpër kryeministrit Albin Kurti pas deklaratave të këtij të fundit ndaj opozitës.
Kurti kishte deklaruar se krerët e Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po sillen “më keq se Limaj” vetëm për ta rrëzuar nga pushteti.
Në reagimin e tij, Limaj e cilësoi këtë qasje si populizëm të ulët dhe diskurs të “odave”, duke i kërkuar Kurtit të marrë përgjegjësinë që i takon si fitues i zgjedhjeve.
“Ky nivel e lëshon diskutimin kryeministri… Jo zotëri, Kosovën e dojnë edhe ata që nuk janë votuar, edhe ata që të kanë votuar. Por ju e keni përgjegjësinë”, tha Limaj.
Ai shtoi se vendi nuk mund të funksionojë pa marrëveshje politike dhe i quajti “pallavra” deklaratat e Kurtit lidhur me bashkëpunimet politike.
Sipas Limajt, nëse vazhdon situata aktuale e bllokadës politike, Kosova rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje të reja brenda pak muajsh.
“Nëse vazhdojmë kështu, jemi në zgjedhje prapë në vjeshtë”, deklaroi ai, duke shtuar se negociatat me Kurtin kanë qenë legjitime dhe në nivel institucional.





