Shefi i Grupit Parlamentar të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit, duke paralajmëruar një situatë të tensionuar politike.
Ai u shpreh se mungesa e kompromisit mes partive politike po e çon Kosovën drejt një procesi të ri zgjedhor, duke theksuar se vendi tashmë është në prag të një cikli të pestë zgjedhor brenda një viti, nëse llogaritet edhe balotazhi.
Tahiri kritikoi klasën politike për paaftësi në arritjen e një marrëveshjeje, duke theksuar se një zgjidhje mund të ishte përzgjedhja e disa kandidatëve jopartiakë dhe kredibilë, për të cilët palët mund të bien dakord.
Sipas tij, në një kohë kur bota po përballet me sfida të mëdha, është e papranueshme që institucionet në Kosovë të mos arrijnë të zgjidhin një çështje kaq të rëndësishme për funksionimin e shtetit.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur debati për zgjedhjen e presidentit dhe stabilitetin institucional në vend mbetet një nga temat më të nxehta në skenën politike.





