Një 28-vjeçar me prejardhje nga Kosova është dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë në Waren (Müritz), pasi u shpall fajtor për tentim-vrasjen e ish të dashurës së tij.
Vendimi u mor më 28 maj nga Gjykata Rajonale e Neubrandenburgut, e cila konstatoi se i pandehuri kishte vepruar me dashje kur tentoi të shkaktonte vdekjen e gruas 44-vjeçare.
Megjithatë, sipas raportimeve të medias gjermane Nordkurier, i dënuari ka paraqitur apel ndaj vendimit, gjë që nënkupton se rasti do të shqyrtohet nga Gjykata Federale e Drejtësisë e Gjermanisë.
Dyshohet se tentoi ta vriste me veturë
Sipas gjetjeve të gjykatës, ngjarja kishte ndodhur më 23 janar 2025 në Friedrich-Wilhelm-Raiffeisen-Straße në lindje të Warenit.
28-vjeçari, shtetas gjerman me prejardhje nga Kosova, i cili kishte mbërritur në Gjermani me familjen e tij në moshën dyvjeçare, dyshohet se kishte drejtuar qëllimisht automjetin në korsinë e kundërt pasi kishte vërejtur ish-partneren e tij duke lëvizur me veturë.
Sipas gjykatës, marrëdhënia mes tyre kishte qenë konfliktuoze prej kohësh. Para incidentit, ai dyshohet se e kishte fyer dhe kërcënuar me vdekje gruan përmes mesazheve, duke përmendur madje edhe përdorimin e veturës si mjet për realizimin e kërcënimeve.
Dënim për disa vepra penale
Trupi gjykues, i udhëhequr nga gjyqtarja Daniela Lieschke, e shpalli të akuzuarin fajtor për:
- Tentativë vrasjeje;
- Lëndim të rëndë trupor;
- Lëndim të rrezikshëm trupor;
- Ndërhyrje të qëllimshme dhe veçanërisht të rrezikshme në trafikun rrugor.
Gjatë procesit gjyqësor janë dëgjuar pesë ekspertë dhe një numër dëshmitarësh.
I pandehuri nuk dha deklarata për akuzat gjatë gjithë gjykimit. Sipas raportimeve, ai foli vetëm në fund të procesit, duke shprehur keqardhje ndaj familjes së viktimës.
Tashmë mbetet që instanca më e lartë gjyqësore në Gjermani të vendosë nëse dënimi me burgim të përjetshëm do të mbetet në fuqi apo nëse rasti do të rikthehet për rishqyrtim.





