Një ngjarje e rëndë është raportuar të dielën në Zvicër, ku një shtetas kosovar është plagosur rëndë pas një sulmi të dyshuar me objekt të mprehtë.
Sipas raportimeve, incidenti ka ndodhur në zonën e Grynaustrasse në Uznach, ku një 25-vjeçar kosovar ka pësuar lëndime serioze.
Patrullat e policisë kantonale të St. Gallen e kanë gjetur të riun në një dyqan pranë banesës së tij.
Pas trajtimit fillestar nga ekipet emergjente dhe një mjek urgjence, ai është transportuar në spital me lëndime që, sipas autoriteteve, mund të kenë qenë të rrezikshme për jetën.
Gjatë hetimeve të menjëhershme, policia ka arrestuar një shtetas zviceran 40-vjeçar, i cili dyshohet se është i përfshirë në sulm.
Sipas informacioneve paraprake të autoriteteve, i dyshuari dyshohet se ka hyrë në banesën e 25-vjeçarit dhe e ka plagosur atë me një objekt të mprehtë.
Aktualisht, hetuesit po punojnë për të sqaruar marrëdhënien mes dy personave, motivet e mundshme dhe rrethanat e sakta që çuan në incident.
Autoritetet zvicerane kanë bërë të ditur se hetimet janë ende në zhvillim dhe se më shumë detaje pritet të publikohen pas përfundimit të procedurave hetimore.




