KQZ publikon shifrat e fundit: Mbi 573 mijë qytetarë votuan deri në orën 18:00

Posted by

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar përditësimin më të ri lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po mbahen në Kosovë.

Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, deri në orën 18:00 të drejtën e votës e kanë ushtruar gjithsej 573,825 qytetarë në të gjithë territorin e vendit.

Shifrat tregojnë një rritje të pjesëmarrjes gjatë orëve të pasdites, ndërsa procesi zgjedhor po afrohej drejt mbylljes së tij zyrtare.

KQZ ka bërë të ditur se këto të dhëna i referohen vetëm votimeve të realizuara në vendvotimet e rregullta dhe nuk përfshijnë ende votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës.

Procesi i votimit në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë është paraparë të përfundojë në orën 19:00, pas së cilës do të nisë numërimi i fletëvotimeve për subjektet politike.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të publikojë gjatë mbrëmjes edhe rezultatet e para preliminare nga vendvotimet në mbarë vendin.