KQZ sqaron votuesit jashtë Kosovës: Pse mungon shiriti ngjitës në pakot e votimit me postë?

Posted by

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura nga disa votues jashtë Kosova lidhur me mungesën e shiritit ngjitës në pakot e votimit përmes postës.

Në njoftimin zyrtar, KQZ ka sqaruar se, njësoj si në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbajtura në dhjetor 2025, edhe në zgjedhjet aktuale nuk është paraparë përdorimi i shiritit ngjitës të KQZ-së, i cili ishte përdorur gjatë Zgjedhjeve Lokale 2025.

Sipas KQZ-së, procesi i votimit me postë realizohet duke vendosur fletëvotimin në zarfin e fshehtësisë, i cili mbyllet me ngjitësin standard që posedon vet zarfi.

Institucioni zgjedhor theksoi se mungesa e një shiriti shtesë ngjitës nuk ndikon në vlefshmërinë e votës.

KQZ bëri të ditur se janë ndërmarrë masa të shumta sigurie për procesin e votimit jashtë vendit, përfshirë dërgimin direkt të pakove me fletëvotime dhe materiale përcjellëse në adresat e votuesve të regjistruar.

Sipas njoftimit, fletëvotimet përmbajnë elemente sigurie të ngjashme me ato që përdoren në vendvotimet brenda Kosovës, duke përfshirë:

  • mikroshtypin;
  • UV printin;
  • elementin “anti-copy”.

KQZ ka sqaruar gjithashtu se çdo fletëvotim i dërguar jashtë vendit është i vulosur në pjesën e pasme me vulë të zezë, duke theksuar se kjo nuk do të thotë se bëhet fjalë për kopje të fletëvotimeve.

Përveç kësaj, votuesit pajisen edhe me dëftesën e regjistrimit, dokument unik që përdoret për verifikimin e procesit të votimit me postë.

KQZ u ka bërë thirrje votuesve që të ndjekin me kujdes udhëzimet për plotësimin dhe dërgimin e zarfit të votimit, duke rikujtuar se çdo pako duhet të jetë individuale dhe të arrijë në kutinë postare përkatëse më së largu deri më 6 qershor 2026.