Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur me ceremoni shtetërore Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili po qëndron në Kosovë në kuadër të aktiviteteve për shënimin e pavarësisë. Pas nderimeve shtetërore, Kurti dhe Rama zhvilluan një takim ku diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, projektet e përbashkëta dhe koordinimin politik. Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, Rama u takua edhe me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën bisedoi për marrëdhëniet dypalëshe dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Vizita u vlerësua si një mesazh i fortë uniteti dhe bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve shqiptare.