Kujtim Gashi tërhiqet nga gara për deputet

Posted by

Ish-deputeti i Partia Demokratike e Kosovës, Kujtim Gashi, ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë për deputet në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Përmes një postimi të gjatë në Facebook, Gashi tha se vendimi i tij vjen pas zhvillimeve dhe pakënaqësive që, sipas tij, pasuan zgjedhjet e fundit në Prizren.

Ai u shpreh se politika për të nuk ka qenë vetëm pozitë apo ambicie personale, por një përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe mbështetësve të tij.

“Nuk po largohem. Nuk po dorëzohem. Thjesht po zgjedh që, në këtë periudhë, të kontribuoj ndryshe”, shkroi Gashi.

Sipas tij, procesi pas zgjedhjeve në Prizren ka lënë zhgënjim tek shumë mbështetës, duke vënë në pikëpyetje mundin dhe besimin e qytetarëve.

Megjithatë, ai theksoi se do të vazhdojë të jetë aktiv politikisht dhe do të mbështesë kandidatët dhe strukturat e PDK-së në zgjedhjet e ardhshme.

Gashi falënderoi qytetarët për mbështetjen ndër vite dhe tha se angazhimi i tij për Prizrenin, Kosovën dhe PDK-në mbetet i palëkundur.

Ndërkohë, gjatë ditës edhe Abelard Tahiri njoftoi se nuk do të kandidojë për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit.