Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka akuzuar opozitën për bllokim të proceseve politike dhe mungesë vullneti për zgjidhje institucionale.
Përmes një reagimi në Facebook, ajo tha se çdo iniciativë e partisë së saj është përballur me refuzim nga partitë opozitare.
“Në përpjekje për të shmangur zgjedhjet e parakohshme dhe të panevojshme, u përballëm me një bllokadë të pakapërcyeshme… pamë vetëm refuzim dhe mungesë vullneti për të gjetur zgjidhje,” shkroi Nagavci.
Ajo përmendi se nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe është parë refuzim i vazhdueshëm ndaj propozimeve të LVV-së.
Sipas saj, opozita ka refuzuar pjesëmarrjen në votim, kandidatët për president, përfshirë Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, si dhe figura që i cilësoi si konsensuale, si Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Nagavci shtoi se është refuzuar edhe bashkëqeverisja dhe postet kyçe institucionale, përfshirë atë të kryeparlamentarit dhe presidentit.
Sipas saj, kjo situatë po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja, ndërsa përgjegjësia bie mbi opozitën.
“Të zhgënjyer nga rezultati i zgjedhjeve të fundit, po e çojnë vendin edhe një herë drejt zgjedhjeve të reja. Përgjegjësia është e qartë dhe qytetarët do ta japin përgjigjen e tyre,” përfundoi ajo.




