Noizy ka reaguar lidhur me debatet dhe protestat që po zhvillohen për projektin e planifikuar në Zvërnec, duke ndarë një mesazh në rrjetet sociale që më pas është fshirë.
Përmes një postimi në InstaStory, reperi ka kritikuar ashpër kundërshtarët e projektit dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse besojnë se duhet të ketë ndryshim, ta shprehin qëndrimin e tyre përmes protestave dhe jo vetëm me komente në internet.
“Na keni rrujt lesht… Kush do ndryshim, dilni në protestë, mos na bëni si moralistë shumë se na keni ça k***. Nuk është duke e shitur njeri Shqipërinë, rrini të qetë. Unë njoh shumë polakë, rusë, grekë, gjermanë e austriakë që kanë blerë toka, shtëpi e prona në Durrës. E çfarë do të thotë kjo?”, ka shkruar ai.
Më tej, artisti ka kundërshtuar pretendimet se investimi nënkupton shitjen e Shqipërisë tek investitorë të huaj, duke thënë se nuk i beson këtyre pretendimeve.
“Tashmë e dini që ka protestë. Dilni aty dhe mbylleni gojën. Kush ka prona atje dhe kujtime me atë vend, le të dalë në protestë. Unë nuk u besoj përrallave që po shitet Shqipëria te Izraeli, prandaj nuk dal në protestë dhe as kam ndërmend të dal. Madje, unë jam pro investimit gjigant për Shqipërinë”, është shprehur Noizy.
Deklaratat e tij kanë ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku përdoruesit janë ndarë mes mbështetjes dhe kritikave ndaj qëndrimit të reperit për projektin në Zvërnec.
Debati rreth investimit ka vazhduar të dominojë diskutimet publike në Shqipëri, me mbështetësit që e konsiderojnë atë një mundësi zhvillimi ekonomik dhe kundërshtarët që shprehin shqetësime për ndikimin në pronat dhe mjedisin e zonës.




