Punëtorët teknikë në disa shkolla të Prishtina kanë pezulluar grevën e nisur një ditë më parë, pasi sot kanë pranuar pagat e muajit prill.
Lajmi u bë i ditur pas një mbledhjeje të mbajtur nga Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, me përfaqësuesit sindikalë të punëtorëve teknikë të shkollave të Komunës së Prishtinës.
Sipas njoftimit, greva është pezulluar deri më 25 maj. Megjithatë, sindikata ka paralajmëruar se nëse deri në atë datë nuk lidhen kontratat e punës, punëtorët do ta ndërpresin sërish punën.
Azemi deklaroi se greva e zhvilluar dje ka dhënë rezultat, pasi pagat janë ekzekutuar sot.
Ai theksoi se veprimet sindikale kanë pasur efekt të drejtpërdrejtë në realizimin e kërkesave të punëtorëve.
Në grevën e djeshme kishin marrë pjesë punëtorët teknikë të disa shkollave në kryeqytet, përfshirë:
- “Dardania”
- “Asim Vokshi”
- “Gjergj Fishta”
- “Ismail Qemali”
- “Hasan Prishtina”
dhe institucione të tjera arsimore në Prishtinë.
Punëtorët kishin hyrë në grevë për shkak të mosrealizimit të pagave të muajit prill dhe pasigurisë lidhur me kontratat e tyre të punës.




