Policia alarmon qytetarët: Kujdes nga SMS-të mashtruese që zbrazin llogaritë bankare

Posted by

Policia e Kosovës ka ngritur alarmin për shtimin e rasteve të mashtrimeve financiare përmes mesazheve telefonike (SMS), duke u bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal ndaj lidhjeve të dyshimta që pranojnë në telefonat e tyre.

Sipas njoftimit të Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, kohëve të fundit është vërejtur rritje e rasteve ku qytetarët marrin mesazhe të rreme që pretendojnë se llogaritë e tyre bankare do të bllokohen nëse nuk ndërmarrin veprime të menjëhershme.

Në këto mesazhe zakonisht përfshihet një link i dyshimtë, ku viktimave u kërkohet të japin të dhënat personale dhe bankare.

Policia ka bërë të ditur se pas futjes së këtyre të dhënave, persona të paautorizuar arrijnë të kenë qasje në xhirollogaritë bankare dhe t’ua marrin mjetet financiare qytetarëve.

Autoritetet u kanë bërë apel qytetarëve që të mos hapin dhe të mos klikojnë në linqe të panjohura të pranuara përmes SMS-ve apo email-eve.

Po ashtu, Policia ka kërkuar që qytetarët të mos ndajnë fjalëkalime, kode identifikuese apo të dhëna bankare në platforma të pasigurta ose të dyshimta.

Në rastet kur dyshohet për mashtrim, qytetarët janë ftuar që ta raportojnë menjëherë rastin në polici për të parandaluar dëme të tjera financiare dhe për të ndihmuar në identifikimin e personave përgjegjës.