Policia e Kosovës ka realizuar një aksion të suksesshëm kundër narkotikëve në komunën e Kaçanik, ku janë sekuestruar afro 18 kilogramë substancë e dyshuar si marihuanë dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, rasti ka ndodhur më 19 qershor rreth orës 17:30, kur hetuesit policorë kanë tentuar të ndalojnë një automjet për kontroll rutinë.
Megjithatë, drejtuesi i veturës nuk iu bind urdhrit të policisë dhe përkohësisht arriti t’i shmanget kontrollit.
Pas angazhimit të njësive të ndryshme policore, automjeti u lokalizua dhe u ndalua. Gjatë hetimeve në terren, zyrtarët e Njësisë së Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Ferizaj kontrolluan zonën përgjatë rrugës ku dyshohej se kishte kaluar vetura.
Në një hapësirë me mbeturina u gjetën tre thasë që përmbanin substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Sipas policisë, ekziston dyshimi se thasët janë hedhur nga automjeti që tentoi t’i shmangej kontrollit.
Pas peshimit, sasia e narkotikëve rezultoi të ishte 17 kilogramë e 834.6 gramë marihuanë.
Në lidhje me rastin janë arrestuar:
- F.K. (1961), shtetas i Shqipërisë;
- A.C. (2001), shtetas i Maqedonisë së Veriut.
Me urdhër të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e rastit dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.





