Skandal në Ferizaj! I vdekuri “shitet” tokë – Prokuroria kërkon paraburgim për 5 persona

Posted by

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj disa personave të dyshuar për një skemë të rëndë mashtrimi me prona.

Të pandehurit F.U., N.S., J.M., B.L. dhe G.H. dyshohen për një sërë veprash penale, përfshirë “Keqpërdorimin e pozitës zyrtare”, “Falsifikimin e dokumenteve”, “Legalizimin e përmbajtjes së rreme” dhe “Blerjen e sendeve të përfituara me vepër penale”.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit në bashkëkryerje kanë falsifikuar dokumente duke përdorur identitetin e një personi të vdekur që nga viti 1986. Një person i panjohur (NN) është paraqitur me letërnjoftim të falsifikuar si S.V., dhe me ndihmën e noterit G.H. është përpiluar një autorizim i rremë për shitjen e parcelave.

Ky dokument më pas është përdorur për të regjistruar prona në emër të personave të tjerë në zyrën kadastrale në Ferizaj.

Prokuroria thekson gjithashtu se noteri G.H., në cilësinë e personit zyrtar, dyshohet se ka keqpërdorur detyrën e tij për përfitim pasuror të të pandehurve të tjerë.

Në një rast tjetër, ai dyshohet se ka hartuar një kontratë shitblerjeje për prona në Zonën Kadastrale Babush i Serbëve, duke përfshirë edhe një parcelë prej 1724 m², në mënyrë të kundërligjshme.

Po ashtu, disa nga të pandehurit dyshohet se kanë ndihmuar në realizimin e këtyre veprimeve, duke qenë në dijeni se identiteti i përdorur ishte i rremë.

Sipas Prokurorisë, ekziston edhe dyshimi se disa prej tyre kanë blerë prona të përfituara nga kjo skemë kriminale.

Të gjithë të dyshuarit, që nga 28 prilli 2026, ndodhen nën masën e ndalimit 48-orësh, ndërsa pritet vendimi i gjykatës për caktimin e paraburgimit.

Rasti ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë juridike të pronave dhe funksionimin e institucioneve në këtë fushë.