Tayna dhe Dafina Zeqiri realizuan para gjashtë vitesh hitin “Bye Bye”, një projekt që vazhdon të dëgjohet edhe sot dhe konsiderohet një nga bashkëpunimet më të suksesshme të muzikës shqiptare.
Megjithatë, pas publikimit të këngës, dy artistet nuk kanë pasur më kontakte me njëra-tjetrën.
Për raportin mes tyre ka folur vetë Tayna gjatë një interviste me Meriton Mjekiqi, ku u pyet nëse mund të ketë një duet tjetër me Dafinën në të ardhmen.
“Mendoj që kur bëhet një këngë në përmasa aq të mëdha, që është një këngë madhështore, ajo mbetet më e madhe se ne dhe gjithmonë ka me qenë një bashkëpunim ikonik”, u shpreh reperja, emri i vërtetë i së cilës është Doruntina Shala.
Ajo shtoi se një projekt tjetër mund ta zbehte suksesin e këngës së parë, duke bërë krahasim me artistet ndërkombëtare Shakira dhe Beyoncé.
“Nuk mundesh të bësh më, është më mirë që njerëzve me ua lënë ëmbël atë”, deklaroi Tayna.
Në fund, ajo konfirmoi se aktualisht nuk ka kontakte apo shoqëri me Dafina Zeqirin.





