Një incident i dhunshëm ka ndodhur pasditen e sotme në Prizren, ku katër persona janë përfshirë në një përleshje fizike, gjatë së cilës janë përdorur edhe mjete të mprehta.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Sipas informatave të para, në këtë incident janë përfshirë katër persona. Dy nga të përfshirët kanë pësuar lëndime të lehta nga mjeti i mprehtë (thikë), ndërsa një person i tretë është ankuar për lëndime trupore”, ka deklaruar Bytyqi.
Sipas Policisë, njësitet policore dhe ekipet e emergjencës kanë reaguar menjëherë pas marrjes së informatës për rastin.
Personave të lënduar u është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore, ndërsa autoritetet kanë identifikuar të gjithë personat e përfshirë në incident.
Hetuesit policorë janë duke zhvilluar hetime intensive, duke mbledhur prova materiale dhe dëshmi nga vendi i ngjarjes, si dhe duke intervistuar dëshmitarët e mundshëm.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, ndërsa veprimet e mëtejme procedurale do të ndërmerren në koordinim me organet e drejtësisë.
Policia nuk ka bërë ende të ditur motivet që çuan në përleshje, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.




