Tumori është rritur, artistja Rinesa Qeriqi përballet me një sfidë të re – familja apelon për ndihmë

Posted by

Artistja e re kosovare Rinesa Qeriqi po përballet me një sfidë të re në betejën e saj me sëmundjen, ndërsa familja dhe miqtë e saj kanë bërë thirrje për mbështetje nga qytetarët.

Vitin e kaluar, pas publikimit të lajmit për diagnozën e saj, komuniteti shqiptar u mobilizua në mënyrë të jashtëzakonshme dhe fushata për mbledhjen e fondeve u përmbyll me sukses brenda pak orësh.

Gjatë muajve të fundit, Rinesa ka kaluar tri cikle trajtimi me rrezatim, procedura që kanë lënë pasoja të konsiderueshme në shëndetin e saj. Sipas familjarëve, ajo përballet me vështirësi në lëvizje, ndërsa problemet me shikimin janë përkeqësuar ndjeshëm.

Aktivitete të zakonshme të përditshme, si shikimi i televizorit apo ekspozimi ndaj dritës, janë bërë shumë të vështira për shkak të marramendjes dhe ndjeshmërisë së lartë që ka zhvilluar pas trajtimeve.

Fatkeqësisht, ekzaminimet e fundit kanë treguar se tumori është rritur në madhësi, duke bërë të domosdoshëm fillimin e menjëhershëm të kimioterapisë.

Për shkak të kostove të larta të trajtimit dhe jetesës në Ontario, familja ka vendosur të riaktivizojë fushatën e mbështetjes financiare përmes platformës GoFundMe, me synimin për të mbledhur 100 mijë dollarë.

Fondet e grumbulluara do të përdoren për mbulimin e:

  • Medikamenteve dhe trajtimeve mjekësore;
  • Terapive shtesë për forcimin e imunitetit;
  • Ushqimit të specializuar;
  • Shpenzimeve të përditshme të jetesës gjatë periudhës së trajtimit.

Familjarët kanë bërë thirrje që kushdo që ka mundësi të kontribuojë ose të shpërndajë apelin, ta bëjë këtë për të ndihmuar Rinesën në këtë etapë të vështirë të jetës së saj.

Fushata mund të gjendet në platformën GoFundMe duke kërkuar emrin e saj ose përmes: GoFundMe për Rinesa Qeriqin