Ujësjellësi “Prishtina” paralajmëron masa të ashpra: shkyçje për borxhlinjtë

Posted by

Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina ka njoftuar konsumatorët se të gjithë ata që kanë obligime të papaguara për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit duhet t’i shlyejnë borxhet në afat sa më të shkurtër.

Sipas njoftimit zyrtar, ndaj atyre që nuk i përmbushin obligimet financiare do të aplikohen masa ndëshkuese, përfshirë shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit.

Po ashtu, kompania ka bërë të ditur se do të inicohen edhe procedura përmbarimore ndaj konsumatorëve borxhlinj.

Një ndër masat kryesore që mund të ndërmerren është shkyçja nga rrjeti për të gjithë ata konsumatorë që kanë dy ose më shumë fatura të papaguara.

Ky paralajmërim vjen si pjesë e përpjekjeve për të rritur disiplinën e pagesave dhe për të siguruar funksionimin normal të shërbimeve për të gjithë qytetarët.