Valentina Bunjaku-Rexhepi: Pacientët me kancer po përballen ende me mungesë terapish në Onkologji

Posted by

Valentina Bunjaku-Rexhepi, kandidate për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar lidhur me situatën në Klinika e Onkologjisë, duke deklaruar se pacientët me kancer vazhdojnë të përballen me mungesë të terapive dhe barnave esenciale për trajtim.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ka theksuar se shumë pacientë detyrohen të presin që në orët e hershme të mëngjesit për të siguruar një numër dhe për të marrë shërbimet e nevojshme mjekësore.

Sipas saj, pacientët udhëtojnë nga komuna të ndryshme të Kosovës për të marrë trajtim, por pas pritjeve të gjata shpesh përballen me mungesën e kimioterapisë, imunoterapisë dhe barnave të tjera të domosdoshme.

Bunjaku-Rexhepi ka kritikuar Arben Vitia dhe qeverinë në detyrë, duke pretenduar se problemet në Klinikën e Onkologjisë po mohohen nga institucionet përgjegjëse.

“Realiteti në Onkologji po i demanton çdo ditë”, ka shkruar ajo, duke shtuar se gjendja reale mund të kuptohet më së miri nga pacientët që përballen çdo ditë me vështirësi në sigurimin e trajtimit.

Sipas Bunjaku-Rexhepit, kujdesi ndaj pacientëve me sëmundje të rënda duhet të jetë prioritet institucional dhe zgjidhja e mungesës së barnave nuk duhet të vonohet.