Vjosa Osmani sulmon Kurtin: “E refuzuan 51 përqindëshin vetëm për interesa partiake”

Posted by

Vjosa Osmani ka lëshuar kritika të forta ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti gjatë fjalimit të saj në “Tubimin e Bashkimit”.

Osmani deklaroi se Kosova ndodhet përballë dy rrugëve politike: asaj të krizës dhe izolimit, ose rrugës së shtetit serioz dhe vizionit rugovist.

“Në njërën anë është rruga e atyre që kërcënojnë ta dërgojnë vendin në zgjedhje çdo tre muaj sepse nuk ngopen kurrë”, tha Osmani para pjesëmarrësve në tubim, duke marrë brohoritje nga të pranishmit.

Ajo kritikoi edhe, sipas saj, qasjen për eliminim politik të kundërshtarëve që vendosin interesin shtetëror mbi atë partiak.

“Rruga e atyre që e shndërrojnë në mision eliminimin e çdo njërit që interesin shtetëror e vendosin para atij partiak”, u shpreh ajo.

Në vazhdim, Osmani tha se vendi u dërgua në zgjedhje të panevojshme dhe akuzoi se ishte refuzuar vullneti i qytetarëve.

“Ja refuzuan popullit 51 përqind vetëm për të eliminuar një presidente që ulet me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi ajo.

Në fund të fjalimit, Osmani tha se alternativa tjetër është “rruga e amanetit të Rugovës” dhe ndërtimi i një shteti serioz e të qëndrueshëm.