Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka zbuluar detaje të reja lidhur me marrëveshjen e bashkëpunimit mes LDK-së dhe Vjosa Osmani, e cila pritet të formalizohet këtë të shtunë.
Sipas Shalës, marrëveshja përcakton qartë rolet udhëheqëse për zgjedhjet e ardhshme dhe synon bashkimin e figurave të larguara nga partia, si dhe afrimin e emrave të rinj politikë.
“Me këtë bashkëpunim, do të kthehet Vjosa Osmani, një numër i kolegëve që janë larguar dhe do të vijnë të tjerë të rinj”, deklaroi ai.
Ai bëri të ditur se, sipas marrëveshjes, Vjosa Osmani do të jetë bartëse e listës zgjedhore dhe kandidate për presidente, ndërsa Lumir Abdixhiku do të jetë kandidat për kryeministër dhe numri dy në listë.
Shala theksoi se ky propozim synon të bashkojë votën rugoviste dhe të krijojë një alternativë të fuqishme qeverisëse për Kosova.
Marrëveshja pritet të marrë vulën përfundimtare në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.





