Pedri paralajmëron Atlético Madrid: Nëse dikush mund t’i përmbysë katër gola, është FC Barcelona

Posted by

Mesfushori i Barcelonës, Pedri, ka dërguar një mesazh të fortë optimizmi para ndeshjes së kthimit kundër Atlético Madrid në gjysmëfinalen e Copa del Rey.

Pas disfatës 0:4 në takimin e parë, reprezentuesi spanjoll beson se skuadra katalanase ka potencialin për ta realizuar një rikthim spektakolar dhe për ta siguruar finalen.

Në një prononcim për emisionin “Gol a Gol” në TV3, Pedri theksoi se ekipi ka reflektuar pas humbjes dhe është i vendosur të tregojë një fytyrë krejt tjetër në ndeshjen vendimtare. Ai rikujtoi se sezonin e kaluar, ndaj të njëjtit kundërshtar, Barcelona kishte arritur të shënonte katër gola brenda 70 minutave – dëshmi, sipas tij, se kjo skuadër është e aftë për përmbysje të mëdha.

“Ishte ndoshta paraqitja jonë më e dobët e sezonit në ndeshjen e parë. Nuk realizuam asgjë nga ajo që dimë të bëjmë. Por futbolli gjithmonë të jep një mundësi të dytë. E kemi bërë më parë ndaj të njëjtit rival dhe mund ta bëjmë sërish. Nëse ka një ekip që mund t’i ‘shkrijë’ katër gola, ai është Barcelona”, deklaroi ai.

Pedri vuri në pah edhe energjinë dhe guximin e skuadrës së re të Barcelonës, duke theksuar se shpesh luajnë pa frikë dhe me vetëbesim – elemente që mund të jenë vendimtare në një mbrëmje të madhe në Spotify Camp Nou.

Ai u bëri thirrje tifozëve që ta mbushin stadiumin dhe ta mbështesin ekipin maksimalisht, duke e konsideruar përkrahjen e tyre si faktor kyç për një rikthim të mundshëm.

Sfida ndaj Atleticos pritet të jetë një nga testet më të vështira të sezonit për “Blaugrana”, por mesfushori spanjoll dhe bashkëlojtarët e tij janë të vendosur të luftojnë deri në fund për një vend në finalen e Kupës së Mbretit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *