Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka mirëpritur aktivizimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës lidhur me ekspozitën e artistit Shkëlzen Gashi, me titull “Masakrat në Kosovë 1998–1999”.
Në një deklaratë publike, Rama ka theksuar se çdo përpjekje për të shtrembëruar apo manipuluar historinë e vendit duhet të trajtohet me përgjegjësi të lartë institucionale.
“E përshëndes veprimin dhe qasjen institucionale të Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me ekspozitën ‘Masakrat në Kosovë 1998–1999’. E vërteta historike e Kosovës nuk është çështje interpretimi, por themel i pandryshueshëm i drejtësisë dhe i dinjitetit kombëtar. Çdo përpjekje për ta shtrembëruar apo manipuluar atë duhet të trajtohet me përgjegjësi të lartë institucionale,” ka shkruar ai.
Rama ka shtuar se duhet vepruar me zero tolerancë ndaj individëve që cenojnë të vërtetën historike dhe rendin kushtetues.
“Është koha e fundit që individë jokompetentë dhe të papërgjegjshëm të mos tolerohen të manipulojnë periudhat më të dhimbshme dhe më të rëndësishme të historisë sonë. Historia nuk është hapësirë për eksperimente, as për narracione të rreme. Presim që institucionet e drejtësisë të veprojnë me zero tolerancë ndaj çdo veprimi që cenon të vërtetën historike dhe rendin kushtetues,” ka shtuar ai.
Ky reagim vjen në një kohë kur institucione të ndryshme po monitorojnë publikimet dhe ekspozitat që trajtojnë periudha sensitive të historisë së Kosovës, duke synuar ruajtjen e fakteve dhe dinjitetit kombëtar.




