Nënkryetari i Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka folur për raportet mes LVV-së dhe presidentes Vjosa Osmani, duke deklaruar se ftohja mes tyre kishte nisur gjatë vitit 2024.
Në një intervistë në emisionin “Debat Plus”, Konjufca tha se deklaratat publike të Osmanit ndaj Qeverisë së Albin Kurti ishin momenti kur, sipas tij, u kuptua qartë ndarja politike mes palëve.
Ai përmendi veçanërisht fjalimin e presidentes në fund të vitit 2024, ku ajo kishte kritikuar qeverinë për raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe çështje të tjera politike.
“Fjalimi i saj në vitin 2024 ishte reflektim i asaj që po e them unë, që faktikisht rrugët ishin ndarë”, deklaroi Konjufca.
Sipas tij, bashkëpunimi mes LVV-së dhe Osmanit gjatë viteve 2022 dhe 2023 kishte qenë më i mirë, por situata ndryshoi më pas për shkak të dallimeve politike dhe deklaratave publike.
Konjufca shtoi se jo të gjitha arsyet e ndarjes do të bëhen publike, duke theksuar se Vetëvendosje nuk dëshiron të përdorë temat sensitive shtetërore për fushata politike apo debate publike.
Ai deklaroi gjithashtu se LVV-ja nuk e kishte parë të arsyeshme të mbështeste një presidente që, sipas tij, do të vazhdonte ta kritikonte dhe godiste qeverinë.
Në fund, Konjufca tha se pavarësisht kritikave dhe përplasjeve politike me Osmanin, LVV-ja kishte arritur të fitonte zgjedhjet dhe të ruante mbështetjen e qytetarëve.





Leave a Reply